Abdixhiku për draft-statutin: Paraqet autonomi me rrugëtim potencial për federalizim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë mbledhjes së parë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ka folur mbi draft-statutin e Asociacionit.

Abdixhiku tha se në leximin e tij politik, draft-statuti i Asociacionit, i propozuar nga ndërmjetësit e dialogut mes Kosovës e Serbisë paraqet autonomi, me rrugëtim potencial për federalizim.

“Për ta thënë thjesht, në leximin tim politik, ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis në preambulë me Rezolutën 1244, si paralele e Deklaratës së shpalljes së Pavarësisë e përfundon me arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese”, tha Abdixhiku.

Ai tha se drafti, paraprakisht ka pasur synime nga ndërmjetësuesit që të jepët vetëm për lexim, por një gjë të tillë, Abdixhiku tha se ka konsideruar si ofendim të rëndë.

“E kam konsideruar si ofendim të rëndë që një parti shtet-formuese, bartëse e procesit të dialogut nëpër vite të jetë vetëm observuese me memorie fotografike e një dokumenti 45 nenësh dhe t’i jep mbështetje apriori pa e kuptuar atë në thelb”.

“Dorëzimi i dokumentit, i ndodhur tashmë ka qenë gjithnjë forma e vetme, e duhur, por gjithsesi është i vonshëm dhe na vjen pas afatit për dorëzimin e komenteve për të. Dhe që ta keni të qartë, LDK-ja s’ka qenë fare e përfshirë në këtë proces”, tha ai.

Back to top button