Abdixhiku: Qytetarëve t’u kthehen paratë për energji, bordi i ZRRE-së të shkarkohet
2 min read
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nga shkurti e deri më sot Qeveria e Kosovës i ka detyruar qytetarët të paguanin kundërligjshëm rrymën madje me rritje deri në 100%. Abdixhiku ka kërkuar që qytetarëve tju kthehen paratë dhe bordi i ZRrE-së duhet të shkarkohet.
”Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet”, ka shkruar Abdixhiku.
Ky i fundit ka theksuar se nga e hëna LDK do të nis procedurat parlamentare për sa i përket kësaj çështje.
”Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë. Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi”, ka shkruar tutje Abdixhiku.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike./21Media