Reagon Abrashi

Reagon Abrashi

Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi ka reaguar pas përplasjes së Vetëvendosjes dhe LDK-së përmes shkrimeve në rrjete sociale. Ai në një shkrim në Facebook e mbrojti liderin e LDK-së, Isa Mustafën, duke thënë se ai ka treguar vazhdimisht tolerancë ndaj VV-së, megjithëse diçka e tillë nuk po ndodhë edhe nga pala tjetër.

Abrashi ka plasuar në Facebook disa foto të komentuesve, të cilët kanë sulmuar verbalisht kreun e LDK-së, Isa Mustafa për shkak të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

“Sot ishim dëshmitarë të një organizimi e orkestrimi të një ushtrie “virtuale” kundër LDK-së dhe Kryetarit Mustafa, me një orientim të dalluar; në secilën deklaratë, koment e postim është vërejtur gjuhë e urrejtjes, ‘urime për vdekje’, thirrje për linçime etj, që tregon, se partnerët tanë politikë, nuk e kanë për qëllim unitetin, por në fakt vetëm keqpërdorimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Kryeministri Kurti, bën mirë të na tregoj nëse është pjesë e këtij organizimi? Nëse jo, pse nuk ndërmerr masa ndaj atyre që keqpërdorin emrin e tij?”, shkroi Abrashi ndër tjerash.

Në fund akuzoi Kurtin për krizën politike.

“Përpjekja e Kurtit për t’u fshehur prapa gjendjes së pandemisë është e kotë, ai shkaktoi krizën në koalicion për t’i ikur përgjegjësive shtetërore dhe në përpjekje për të fshehur raportet e tendosura të me aleatët kryesorë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, shkroi Abrashi në Facebook.

LDK-ja më 18 mars ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti, kjo pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme./21Media