Afro 130 mijë vaksina anti-Covid janë dhënë në Kosovë

 
Mbi 600 persona kanë marrë vaksinën anti-COVID paraditen e sotme në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ndërsa në nivel vendi janë vaksinuar mbi 3 mijë qytetarë. Kështu bëri të ditur koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, Niman Bardhi, i cili tha se deri më tash janë dhënë afro 130 mijë vaksina.
“Aktualisht, deri në këto çaste që flasim janë mbi 600 persona të vaksinuar në sallën ‘1 Tetori’, ndërsa nëse i referohemi në nivel të vendit, kemi mbi 3 mijë e 300 doza të dhëna. Ndërsa totali i dozave të dhëna deri në këto çaste që po flasim në nivel vendi janë mbi 129 mijë e 200 vaksina”, tha ai.
Ai bëri të ditur se Kosova ka numër të mjaftueshëm të vaksinave, teksa apeloi te qytetarët që duke respektuar grupmoshën e caktuar, të aplikojnë në platformë dhe të caktojnë terminin.
“Vaksina ka mjaftueshëm në dispozicion, mjafton që të kemi kërkesën dhe interesin e qytetarëve dhe të aplikojnë në platformën ‘ekosova’ dhe padyshim që kur ne e kemi atë pjesë të terminit të ndarë, ai ka me e marrë vaksinën. Por, apeloj edhe njëherë të gjithë qytetarët që të aplikojnë në platformë dhe paralelisht me ndarjen e terminëve të respektohet grupmosha që kemi mbi 65 vjeç dhe nëse është kategori e të sëmurëve kronik, duhet të dëshmojnë me dokumentacionin bartës mbi shëndetin e personit në fjalë”, tha ai.
Sa i përket vaksinimit të kategorive tjera të popullsisë, Bardhi tha se kjo do të ndodhë sapo të marrin rekomandimin nga Komiteti për vaksinim të popullatës.
“Ajo mbetet mbi bazën e respektimit të planit të veprimit, që janë afate kohore të ndara dhe në momentin e rekomandimit që rrjedh nga komiteti për vaksinim të popullatës, ne me automatizëm veprojmë sipas atij rekomandimi”, u shpreh ai.
Bardhi bëri të ditur se në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë po vazhdojnë punën e vaksinimit 15 ekipe mjekësore, numër ky që do të vazhdojë punën edhe pasdite.

Back to top button