Agani edhe 18 vite pas vrasjes po i mungon Kosovës

Beqiri tha se edhe 18 vite pas vrasjes së profesor Aganit, ai ishte dhe mbetet pa dyshim ndër personalitetet me emblematike

Në 18 vjetorin e vrasjes e profesorit dhe politikanit, Fehmi Agani nga policia serbe, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me bashkëshorten e profesor Aganit dhe familjarë të tjerë, kanë vënë lule pranë varrit të tij në shenjë nderimi ndaj jetës dhe veprës së Aganit, si një profesor, politikan e atdhetar.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri tha se edhe 18 vite pas vrasjes së profesor Aganit, ai ishte dhe mbetet pa dyshim ndër personalitetet me emblematike, jo vetëm i LDK-së, por i gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ne sot kujtojmë veprën e tij madhore, ka qenë pa dyshim nga njerëzit kryesor të lëvizjes sonë shumë vjeçare, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Rugova dhe padyshim mungesa e tij pavarësisht që janë 18 vite ndihet shumë, sepse ka qenë jo vetëm njeri i shkencës por edhe i politikës, njeri largpamës. Padyshim që për shumë vite po i mungon jetës politike, institucionale dhe shkencore të vendit tonë. Kjo ka qenë një humbje e pakompensueshme dhe sot kemi dal këtu në emër të kryesisë së LDK-së, por ashtu edhe kryetarit dhe kryeministrit Isa Mustafa që të shprehim përherë nderimin që meriton profesor Agani për gjithë atë që ka bërë për ne, për vendin, për gjeneratat, për arsimin, por mbi të gjitha si njeri i dijës politike madhore dhe një udhërrëfyes për neve se si do duhej t’i qasemi probleme dhe vështirësive në momentet me të rënda”, tha Beqiri.

Profesor Fehmi Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe, pasi kishte tentuar të linte Kosovën dhe të dilte në Maqedoni me tren ku ishin edhe shumë shqiptarë tjerë. Agani ishte edhe nënkryetar shumë vjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që drejtohej nga ish presidenti Ibrahim Rugova.

Back to top button