Agjenti i stimuluar me urdhëresë të Gjykatës, shkon në qendrën “R….. Massage” në Prizren ku fillimisht në recepcion paguan shumën prej 30 euro për masazhe, dhe më pas punëtorja, e cila pos masazhës në dhomë, i ofron agjentit Policor shërbim seksual në këmbim të të hollave prej 50 euro, të cilat të holla ky i fundit i paguan dhe më pas ndërhyn Policia duke e kapur në flagrancë.

Me këtë rast ishin arrestuar F. B dhe A.G, ndaj të cilëve Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur dënim me burgim me një vit për secilin si dhe me nga 500 euro gjobë.

Sipas aktakuzës prej datës së pavërtetuar e deri me datë 22.11.2019, rreth orës 21:55 min, në Prizren, në lokalin “R…. Massage”, të akuzuarit F.B., e A.G., rekrutojnë, organizojnë, mbajnë dhe kontrollojnë personin tjetër me qëllim të mundësimit të prostitucionit dhe atë katër (4) të dëmtuara, në atë mënyrë që punësojnë vajza kryesisht të moshave të reja, duke shfrytëzuar gjendjen e tyre të rëndë ekonomike, pa kontrata pune dhe pa kurrfarë kualifikimi profesional, i angazhojnë kinse për qëllim të ofrimit të shërbimeve të masazhit, të cilave pas ofrimit të pagës dhe përqindjes në shërbim, u ofrojnë edhe banim pa pagesë sipas lokalit ku ushtrohet veprimtaria në fjalë.

Të akuzuarit janë obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, ashtu që secili veç e veç obligohet të paguajë shumën prej 50 euro, dhe shumën prej 30 euro në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./21Media