Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pasi Qeveria sot ka ndarë ndihmën prej 2 milionë euro për 156 biznese nga Programi për Rimëkëmbje Ekonomike. Ai këtë  ndihmë e ka quajtur “hajgare”.

“E di që ndihmës nuk duhet me i thënë jo, dhe se çdo ndihmë dikënd e ndihmon por a nuk është pak hajgare kjo punë.

– Pagat e Deputetëve janë më shumë se 2 milionë euro.
– Shpenzimet repeezentative janë më shumë se dy milionë.
– Shpenzimet gjyqësore janë më shumë se dy milionë.
– Më shumë se dy milionë ju ka vjedh një njeri në thesar”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti tutje ka kërkuar që të gjendet një gjuhë e përbashkët. “E di që nuk është përgjegjësia vetëm e qeverisë por aman gjene një gjuhë të përbashkët, qoftë edhe emëruesin më të vogël. Vendosni edhe me shku në zgjedhje veç me kushtin që votoni diçka në ditët e fundit”, ka shkruar Ahmeti.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për financimin e projektit në kuadër të skemës së granteve, programit për rimëkëmbje ekonomike 2020, Masa 8, vlera e së cilës është 2 milionë euro, ndërsa përfitues janë 156 biznese, me rreth 500 punëtorë në kuadër të këtyre bizneseve./21Media