Edhe pse shumë e përfolur, deri më tani zyrtarisht asnjë hap nuk është ndërmarrë për të mbledhur tryezën e partive politike shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim, parti që në zgjedhjet e 15 korrikut ka marrë më së shumti mandate në bllokun shqiptar, u shpreh e gatshme për këtë tryezë. Zëdhënësi Bujar Osmani i tha dje TV21 se kreu Ali Ahmeti me telefon i ka ftuar krerët shqiptarë që të takohen.

“Kur ka biseduar në telefon, kreu i BDI-së Ali Ahmeti i ka ftuar të gjithë krerët e partive shqiptare, duke u thënë se është mirë të takohemi bashkë, para formimit të qeverisë. Parimisht askush nuk ka refuzuar, por kanë thënë se u duhet kohë për konsultime të brendshme në partitë e tyre”, tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Të pyetur se a janë të gatshëm për tu ulur në tryezë të përbashkët, partnerët e koalicionit “Tash është koha”, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, gishtin e drejtuan nga integristët si problem për mos mbledhjen e tryezës.

“Këtë pyetje drejtoheni tek z. Ahmeti i cili i quajti liderët e partive politike shqiptare horra duke thënë se nuk ulet me horra! Ai qëllimisht e minoi tryezën politike të liderëve. Ne kurrë nuk e kemi thënë se nuk ulemi dhe as horra s’i kemi quajtur liderët shqiptarë, por tani e themi se për momentin prioritet është mbrojtja e votës se lirë nga mashtrimi i BDI-së, ndërsa Ali Ahmeti le të përgjigjet para shqiptarëve se pse e braktisi idenë e Kryeministrit sapo mbaruan zgjedhjet”, u shpreh Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.

“Kryetari i Alternativës nuk ka pasur asnjë ftesë për tryezë të përbashkët. Konsiderojmë se është ofenduese për shqiptarët të thoni që BDI-ja është parti me më shumë mandate. Derisa nuk pranohet e vërteta e hidhur se shqiptarëve u është vjedhur e drejta e votës së lirë, nuk mund t’i përgjigjemi pozitivisht ftesës së atyre që e kanë dhunuar votën e lirë të shqiptarëve”, theksoi Skender Rexhepi, Sekretar Gjeneral i Alternativës.

Arjanit Hoxha nga Lëvizja “Besa”, partner koalicioni i LSDM-së tha për TV21 se deri më tani nuk kanë marrë asnjë ftesë apo nismë zyrtare për tryezën e përbashkët. Për këtë do të prononcohen në momentin që do të ketë ftesë, tha Hoxha.

Kërkuam qëndrim edhe nga Partia Demokratike Shqiptare, por nga atje nuk u përgjigjën nëse kreu i tyre Menduh Thaçi është ose jo i gatshëm për tu ulur në tryezën e përbashkët të krerëve të partive shqiptare, raporton TV21./21Media