Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton mbylljen. Megjithatë bëri të ditur se ende nuk i kanë parë propozimet për të vlerësuar se a janë të mira apo jo masat.

“Gjendja e jashtëzakonshme – është diskutuar nga qeveria dhe do të diskutohet nesër nga institucionet që e kanë kompetencën për ta kërkuar nga Kuvendi. GjJ është instrument për të marr vendime më shpejtë. Kjo nuk nënkupton automatikisht masa të mbylljes etj.Ende nuk kemi parë propozimet e masave për të vlerësuar se a janë të mira apo jo. Përderisa krejt komunat janë të brengosura për numrin e rritur të të prekurve, megjithatë nuk është paramenduar e as kërkuar mbyllja e plotë.Ka ende shumë gjëra që mund të bëhen për ta zbutur pandeminë e që nuk janë katastrofale për ekonominë.”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ai po ashtu foli edhe për testet serologjike, tha se janë në pritje të importit të tyre.

“Testet – ende po presim lejet e importit të testeve serologjike për Komunën e Prishtinës. Kjo do të na mundësonte që brenda një periudhe të shkurtër 2 javore të kuptojmë se sa njerëz kanë ndërtuar imunitet dhe më shumë informata demografike dhe shëndetësore në lidhje me virusin.”, përfundoi Ahmeti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot mbajti takim virtual me kryetarët e komunave. Pas këtij takimi, tha se nuk përjashtohet mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Megjithatë siç sqaroi Hoti, kjo gjendje nuk nënkupton mbylljen e ekonomisë. Këtë e pohoi edhe drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës., Sazan Ibrahimi.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj u bëri apel qytetarëve që mos ta imponojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. “Më dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur”, tha ai ndër tjerash./21Media