“Çdo gjë e ka një fillim dhe çdo gjë fillon me një ëndërr”. Kështu kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti përmes një video mesazhi e nisi shpalosjen e synimit të partisë së tij për Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pasi renditi arritjet e shqiptarëve të Maqedonisë, duke përmendur postet udhëheqëse, ministrore të drejtuara nga shqiptarët, përfshirë edhe krye parlamentarin, tha se këto nuk mjaftojnë.

“Tani është koha për vazhdim të ëndrrës. Për ëndrra më të mëdha, sepse erdhi koha për të arritur edhe më shumë.  Maqedonia e Veriut është vendi ynë. Vendi për të cilin kemi luftuar. Ne kemi një pjesë të barabartë në historinë, trashëgiminë, në ekonominë dhe në të ardhmen  e vendit tonë. Tani është koha për barazi të plotë, për marrje të përgjegjësisë për të prirë! Është  koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut!”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti thotë se ideja e Kryeministrit shqiptar nuk ka të bëjë me BDI-në dhe atë si kryetar. Shprehet se ai vetëm po e shtron rrugën për realizimin e kësaj ëndrre, e për të cilën kërkon mbështetjen edhe të partive të tjera shqiptare.

“Tani është koha. Është koha për t’u bashkuar, koha për të vepruar përsëri së bashku. Kjo është një thirrje për të gjitha partitë shqiptare  dhe të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të tjerët, për të mbështetur kauzën tonë, e cila është më e madhe se të gjithë ne. Tani është koha për ta bërë së bashku historinë. Nuk është thjesht një ëndërr; është shansi ynë. Është shansi ynë të ndërtojmë një shoqëri të re, në të cilën fëmijët tanë mund të arrijnë gjithçka që ëndërrojnë” Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. 

Për dikë, sipas Ahmetit, kjo ide mund të duket e parealizueshme dhe të përqeshet, por këtë e sheh si gjë të mirë sepse, siç shprehet, kur të mohohet ëndrra të bën të punosh edhe më shumë për ta arritur, andaj fjalën e tij e mbyll  duke kërkuar që të mos humbet guximi për të ëndërruar, por për të besuar se ëndrrat mund të realizohen./21Media