Pas konfirmimit të aktakuzës për Hashim Thaçin dhe Kadri Veslin, ka reaguar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në “Facobook-un” e tij Ahmeti ka shkruar se edhe një jetë po ta kishte së bashku me shokët e tij, luftën do ta bënin përsëri. Ai shprehet i bindur se do të dëshmohet se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane. Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do ta dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen ngadhënjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare. Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po ta kishim edhe një jetë, edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi, ne do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit tonë. Të gjitha të arriturat tona në këto dekada i kemi realizuar bashkarisht me miqtë tanë ndërkombëtar dhe bashkarisht, duke respektuar vlerat e përqafuara nga të gjithë ne, edhe do ta përfundojmë rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, drejtësisë dhe integrimit. Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së drejtësisë në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa më të shpejtë në detyrat e tyre që i presin”, shkruan Ali Ahmeti, lider i BDI-së./TV21