Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka urdhëruar mbylljen e tri çerdheve në kryeqytet, pas 10 rasteve të reja të konfirmuara sot me COVID-19.

Ahmeti bëri të ditur se çerdhet që do të mbyllen dhe urdhërohet dezinfektimi i plotë objekteve të tyre janë çerdhet Lulevera, Xixëllonjat, dhe Buzëqeshja.

“Tanimë kemi më shumë informata rreth dhjetë rasteve në Prishtinë. Fatkeqësisht, papërgjegjësia e individëve dhe qasja shpërfillëse ndaj rrezikut na ka shkaktuar telashe më të mëdha.  Duke anuar kah kujdesi, nesër çerdhet Lulevera, Xixëllonjat, dhe Buzëqeshja mbyllen dhe urdhërohet dezinfektimi i plotë. Po ashtu do të kontaktojmë me të gjithë që mendojmë se mund të jenë në rrezik nga infeksioni”, shkroi Ahmeti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos e fshehin sëmundjen nga të tjerët dhe mos ta shpërfillni atë.

“Nesër gjatë ditës do të ju informojmë për masat shtesë”, përfundoi Ahmeti./21Media