Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë një propozim për Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK në lidhje me trajtimin e koronavirusit.

Ahmeti ka kërkuar nga këto dy të fundit të ndjekin shembullin e Britanisë për trajtimin e Covid-19 përmes transfuzionit të gjakut nga personat që e kanë kaluar sëmundjen tek ata që janë në gjendje të rëndë, me shpresën se antitrupat e gatshëm nga personi me imunitet do ta luftojnë virusin te personi që e ka virusin.

I pari i Prishtinës në një postim në Facebook, ka shkruar se testet e para serologjike në Prishtinë tregojnë se te pacientët e prekur me Covid-19 ka antitrupa që e luftojnë virusin, disa prej tyre me nivele të larta të antitrupave.

“Në mungesë të trajtimeve farmaceutike, shtetet po provojnë trajtimin me transfuzion të gjakut (plasma) nga ata që e kanë kaluar në ata që janë gjendje të rëndë. Kjo me shpresën se antitrupat e gatshëm nga personi me imunitet do ta luftojnë virusin te personi që e ka virusin tani”, ka shkruar ndër të tjera Ahmeti.

Ai ka kujtuar se vetëm në Britaninë e Madhe, 143 spitale po marrin pjesë në provën e transfuzionit të plazmës, ku 115 mijë njerëz kanë ofruar gjak ndërsa deri tani janë mbledhur mbi 15 mijë njësi të plazmës nga njerëz që kanë pasur virusin dhe kanë imunitet. /21Media