Në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, kryetari Shpend Ahmeti ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve, prej ku ka thënë se do t’u japin respektin e nevojshëm atyre që dhanë jetën për liri.

Ahmeti me kabinetin e tij u përkulën edhe para varrit të Adem Demaçit.

Kryetari i Prishtinës tha se po punojnë në rregullimin e varrezave dhe së shpejti duhet të bëjnë ndarjen në kategori, të dëshmorëve dhe veteranëve.

“Sot gjendemi këtu pasi që edhe kemi përfunduar një pjesë të rregullimit të këtyre varrezave këtu, të shtatë personaliteteve dëshmorëve, Adem Demaçit për shkak se kemi dashur ta bëjmë respektin e nevojshëm. Po ashtu po punojmë qe ta marrim projektin prej ministrisë t’i rregullojmë edhe varrezat poshtë dhe natyrisht besoj qe shumë shpejtë duhet të bëjmë edhe ndarjen e nevojshme dhe vendin e merituar për dëshmorët, veteranët, kategori te ndryshme te luftës”, tha Ahmeti.

Ditët e çlirimit sivjet e gjejnë Kosovën në pandemi, gjë që ka ndikuar edhe në zvogëlimin e numrit të aktiviteteve të zakonshme që bëhen në qershor.

“Nuk besoj se do të ketë aktivitete sesa viteve te kaluara, ju e dini që qeveria ka vendosur të heq të gjitha masat në fuqi, përveç tubimeve të mëdha ku nuk mund të ketë me shumë se 50 persona në distancë të vogël. Ne edhe më tutje u themi se mbrojtja më e mire prej virusit është distanca dy metra”, tha ai.

Megjithatë, Ahmeti tha qe sot do të nderojnë edhe disa personalitete të artit, do të prezantojnë logon turistike të Prishtinës dhe në sheshin “Nënë Tereza” do të bëhet parakalimi i orkestrës frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.