Hoxha: BDI nuk ka as kredibilitet politik as moral të tregojë se çka duhet të bëjë Lëvizja Besa si parti opozitare

Hoxha: BDI nuk ka as kredibilitet politik as moral të tregojë se çka duhet të bëjë Lëvizja Besa si parti opozitare

Më shumë se një muaj po bëhen përpjekje që të bëhet realitet koalicioni trepalësh mes Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe Alternativës, po pa asnjë sukses.

Për këtë mbrëmë foli edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti duke u bërë thirrje që partitë e vogla të bashkohen, por të mos mendojnë se do ta fitojnë BDI-në.

“Ne hapur e kemi thënë që në zgjedhje shkojmë vetë. Të vegjlit mund të bashkohen sepse janë të vegjël, le të bëjnë përpjekje-tentativë por ama mos të krijojnë iluzion se e fitojnë BDI-në”, deklaroi Ali Ahmeti.

Sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha thotë se partia e Ahmetit nuk ka kredibilitet të tregojë se ç’duhet të bëjë opozita shqiptare.

“Ali Ahmeti dhe BDI le t’i bashkon partitë shqiptare që i ka pjesë të koalicionit qeverisës dhe me të cilët i ndan të gjitha benefitet e pushtetit, ndërsa për partitë opozitare ka kush përgjigjet dhe merr vendime. Me siguri BDI nuk ka as kredibilitet politik as moral të tregojë se çka duhet të bëjë Lëvizja BESA si parti opozitare”, deklaroi Arjanit Hoxha.

E Sekretari gjeneral i Alternativës Skender Rexhepi ka një propozim më ndryshe.

“Propozoj që kjo deklaratë e Ali Ahmetit ta dërgohet në emisionet humoristike ngase përveç atje nuk mund të zë vend gjetiu. Këto zgjedhje ai dhe BDI-ja përfundimisht do të shkojnë në histori turpshëm dhe kjo do të shihet shumë shpejt ngase 12 prilli është shumë afër”, u përgjigj Skender – Zejd Rexhepi.

Sa i përket koalicionit trepalësh, Sekretari gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, Arben Tarvari thotë se po i japin edhe një shans këtij procesi, ndonëse i njëjti ditë më parë i tha TV21 se koalicioni trepartiak nuk do të realizohet.

“Nuk shpejtojmë. Jemi duke bërë analiza dhe do të dalim me qëndrim kur të jemi të sigurt cila do të ishte zgjedhje ideale. Do t’i japim edhe një shans trepalëshit”, tha Taravari për TV21.

Aleanca për Shqiptarët është nismëtare e koalicionit trepalësh, por ky proces ka ngecur për shkak se Alternativa nuk dëshiron që pjesë e trepalëshit të jetë edhe Lëvizja Besa. Në këtë rast ASH-së do t’i duhet të zgjedhë vetëm njërën parti për koalicion parazgjedhor por se cilën ende nuk e thonë. Jozyrtarisht TV21 ka mësuar se koalicioni më i mundshëm është ASH-Alternativa dhe se të dyja partitë në parim tashmë janë marrë vesh e megjithatë kjo ende nuk është konfirmuar nga Kryesitë e dy partive.

Lëvizja Besa nga ana tjetër ditë më parë i kërkoi përgjigje ASH-së se çfarë ndodhi me idenë për koalicion trepalësh dhe se a do të vlejë parimi që të vete përjashtohet ajo parti që nuk dëshiron të jetë në koalicion./21Media