Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sonte ka bërë një sqarim lidhur me çështjen e varrimit të një qytetareje serbe, e cila ka jetuar në shtëpinë e pleqve në kryeqytet.

Ahmeti duke sqaruar ngjarjen është shprehur përmes një shkrimi se ka falënderuar Bashkësinë Islame që nuk është marrë me elemente fetare dhe gjera të tilla, por vetëm ka ndihmuar.

“Pash reagime nga webfaqe serbe! Ky është reagimi im i fundit në lidhje me këtë nga respekti për qytetaren R.Z. të ndjerë e cila nuk meriton përmendje të tillë pas vdekjes! Nuk është varrimi kredit për askënd, e as akuzë për dikënd. As nuk është garë. Shtepia e Pleqeve e ka thirre BIK-un dhe ata neve, pastaj ne e kemi thirre komunen e Gracanices ku personalisht është marr një zyrtare por si qytetare. Ka ndihmu edhe OSBE-ja. BIK-u e ka dergu arkivolin, e kane transportu deri te varrezat ortodokse bashke me krejt çka është kërkuar. Ideja ka qene me falenderu Bashkesine Islame qe nuk jane marre me elemente fetare dhe gjera te tilla, por vetem kane ndihmuar. Për neve si Komunë është përgjegjësi. Për BIK është edhe vullnet edhe thirrje për harmoni. Për tu aplauduar toleranca.”, ka shkruar Ahmeti.

I pari i Prishtinës ka shtuar se shkrimi i tij nuk a qenë për inat.

“Mua fare nuk më bën përshtypje se a është shqiptare apo serbe, më bën përshtypje se si dikush mbetet vetë, pa askënd dhe pa ndihmë. Sikurse ndër viktimat e para të Covidit që ishte bashkëqytetari shqiptar që nuk kishte njeri për ta varrosur ashtu edhe sot e ndjera Radmila. Publikimi im ishte thirrje për mirëkuptim e jo për inat. Prandaj, le të jetë komuna e Prishtinës apo Graqanicës, e le të jetë edhe Kisha Ortodokse organizazorja. Por mos ja humbni veprimin e mirë BIKut.”, ka shkruar tutje Ahmeti.

Ndërkohë, pak orë më parë, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një shkrimi në facebook ka bërë të ditur se ka vdekur një grua e moshuar serbe dhe ceremoninë e varrimit ia ka organizuar Bashkësia Islame e Kosovës së bashku me komunën e Prishtinës.

“Sot ka ndërruar jetë një qytetare e moshuar e nacionalitetit serb në Shtëpinë e Pleqve. Ishte vetë dhe nuk paska pas askënd. Për arsye te pasqaruara, nuk kishte askush për ta varrosur përfshi edhe institucionet fetare të cilave i përkiste. Se bashku me Bashkësinë Islame organizuam varrimin. Dua që publikisht ta falenderoj Bashkësinë Islame për gjithë organizimin. Në fund humaniteti – njerzillaku është më i rëndësishmi.”, ka shkruar Ahmeti më herët në facebook.