Aksidentet, Dedaj: Duhen reforma në procesin e pajisjes me patentë-shofer

Reformat në tërë procesin e trajnimit dhe testimit për patentë-shofer janë shumë të nevojshme. Kështu tha për rtv21.tv, eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj.
“Asgjë më shumë e as më pak se sa me i plotësua standardet evropiane prej edukimit në shkolla fillore e deri te trajnimi për kategori përkatëse duke filluar nga mosha 16 e deri pas moshës 65 vjeçare, gjegjësisht patentë-shoferit të personale në pension”, tha Dedaj.
Secili hap, sipas tij, duhet të reformohet.
Dedaj theksoi se aksidentet e komunikacionit nuk janë të lidhura me vetë njohurit për siguri rrugore, por mbeten një nga 5 fajtorët dhe elementet e tyre.
“Njohurit mbi sigurinë e komunikacionit rrugorë është element i faktorit komunikacionit i cili në aksidente si shkaktarë merr pjesë 1%”, theksoi ai.
Eksperti i komunikacionit tregoi se auditimi i projekteve të sinjalizimit nuk bëhet në Kosovë, por rrjeti rrugorë ka nevojë për auditimi të sinjalizimit, nivelit të vrazhdësisë së rrugës, të pajisjeve elastike-mbrojtësve metalike dhe elementeve projektuese të rrugës, në mënyrë që siç thotë ai, të evidentohen pikat e zeza, dhe vendet me nivel të lartë të rrezikshmërisë, e të tjera.
“Për momentin meqenëse drejtuesit e automjeteve janë pa mbikëqyrje të mirë dhe pa vizion të ngjarjes së sigurisë nga sektorët përkatëse, ju mbetet që të drejtoni automjetin brenda kushteve të krijuara dhe me shpejtësi të sigurisë”, përfundoi Dedaj.
Të mërkurën në Kosovë janë regjistruar 19 aksidente trafiku me të lënduar dhe 48 aksidente trafiku me dëme materiale. Në këtë ditë, Policia ka gjobitur me 300 euro, 3 pikë negative dhe 3 muaj ndalim drejtimi, një shofer i cili në autostradën Prishtinë-Prizren ka drejtuar veturën në 240 km/h, në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 100 km/h.
Nga 29 prilli deri më 03 maj 2022, në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë trajtuar 117 pacientë pas aksidenteve në trafik.
Javën e kaluar dy persona kanë humbur jetën në një aksident trafiku në fshatin Gllobar të Drenasit./21Media

Back to top button