Përgjegjësi i kompanisë së kamionit që ka shkaktuar aksidentin tragjik është ndaluar mbrëmë

Përgjegjësi i kompanisë së kamionit që ka shkaktuar aksidentin tragjik është ndaluar mbrëmë

Prokuroria  Themelore e Gjilanit sot ka paraqitur kërkesë për paraburgim ndaj përgjegjësit të kompanisë së kamionit, që ka shkaktuar aksidentin tragjik në Gjilan.

Prokurorja e rastit, siç bëhet e ditur në komunikatën e Prokurorisë, sot ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.

Ndërsa, mbrëmë rreth orës 19:30 minuta Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar të dyshuarin V.T., në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale, ‘’Mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’’.

“Prokuroria ka ndaluar të dyshuarin V.T., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti, si person përgjegjës i kompanisë, më 7 mars 2019, e kishte lejuar të dalë në qarkullim automjetin transportues – kamionin, e markës ‘’Scania’’, pronë e SH.P.K ‘’VEV GROUP’’ – Prishtinë, i cili ka qenë pa regjistrim dhe pa kontrollë teknike që nga data 18 gusht 2017, të cilin e ka drejtuar shoferi i kësaj kompanie M.A., me ç’rast i njëjti ka shkaktuar aksident trafiku, si pasojë e të cilit përveç dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore kanë pësuar 23 persona, lëndime të rënda trupore 3 persona, ndërsa lëndime të natyrës vdekjeprurëse ka pësuar, i ndjeri Q.Ç.”, bëhet e ditur në komunikatën e Prokurorisë së Gjilanit.

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë vozitësit të kamionit me inicialet M.A.

Në këtë aksident humbi jetën një person dhe 27 të tjerë mbetën të lënduar./21Media