Aksioni policor në ARBK, prokuroria po merr në pyetje tre zyrtarë të këtij institucioni

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Prokuroria bëri të ditur se bastisja u krye nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”. Prokuroria Themelore ka konfirmuar se gjatë aksionit në stacionin policor janë shoqëruar tre persona zyrtar të kësaj agjencie dhe të njëjtit janë duke u marrë në pyetje.
“Ju njoftojmë se personat të cilët dyshohen për veprat penale ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të KPRK-së, dhe veprën penale ”Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 391 të KPRK-së, janë duke u intervistuar. Lidhur me këtë Prokurori i Shtetit po ndërmerrë të gjitha veprimet ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Gjatë ditës u raportua se dyshimet fillestare të Prokurorisë, lidhen me ndryshimin e aksioneve të pronësisë së një biznesi, ndërsa gjatë këtij aksioni, policia ka kufizuar përkohësisht hyrjen e stafit në objekt.
Në mesin e personave që po merren në pyetje nga prokuroria u tha të jetë edhe ushtruesja e e detyrës së kryeshefës së ARBK-së./RTV21