Ngritet aktakuzë ndaj 19 personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Ngritet aktakuzë ndaj 19 personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë kundër 19 personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Personat e akuzuar janë ish-ministra të “Qeverisë Thaçi 2”, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiqi, si dhe ish drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka.

Prokuroria Speciale njofton se të akuzuarit i kanë tejkaluar kompetencat e veta, kanë vepruar në kundërshtim me detyrat dh e të drejtat e tyre të përcaktuara si anëtarë të këtij Komiteti, pasi që me datë 08.05.2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: hidrocentrali i Lumbardhit, hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.

“Po ashtu, në të njëjtën ditë janë nënshkruar marrëveshja për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe. Me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të tranferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK, e me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe akionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qera mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet të i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese. Dëmi tjetër i shkaktuar direkt është vlera e investuar (shtuar) në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, që nuk përfshinë vlerën e aseteve para koncesionit, sepse KEK-u nuk ka bërë regjistrimin dhe nuk ka prezentuar vlerën e aseteve para privatizmit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së mjeteve të bazura në regjistrimin e vitit 2003, dëm ky që edhe më tutje vazhdon të shkaktohet në mënyrë të përhershme.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas prokurorisë, me këto veprime të pandehurit në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Siç njofton prokuroria, e pandehura F.H., në cilësinë e personit zyrtar- menaxhere në projektin për privatizim (NJIP) e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ( MZHE), A.Gj., në cilësinë e personit zyrtar – Drejtor Menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), B.H., në cilësinë e personit zyrtar- koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe i pandehuri K.B., në cilësinë e personit zyrtar – anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE), njëherë i deleguar në KQP (Komiteti Qeveritar për Privatizim), si përfaqësues i ZRRE-së, secili ndaras, me qëllim që të i mundësojnë cfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktojë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta. Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyr tar” nga neni 422 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.

Ndërsa, i pandehuri F.Ç, në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KEK-ut, M.R., A.N., F.K. dhe I.I., në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KEK-ut, si dhe G.J., në cilësinë e personit zyrtar- kryesues i Bordit të KKDFE-së, B.B., G.Sh., N.H. dhe A.A., në cilësinë e personave zyrtar- anëtarë të Bordit të KKDFE-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të i mundësoj cfarëdo përfitimi pasuror dhe që të shkaktoj dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta./21Media