Prokuroria Themelore në Prizren, sopt njoftoi se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet A.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.B., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

“Me datë 30.12.2016, në cilësinë e arkëtarit kryesor në bankën “NLB”, me seli në Prizren, pranon nga bashkëpunëtori i klientit të bankës E.Sh., – pronar i këmbimores “Euro-Eki”N.Sh., një shumë të lartë të valutave të frangave zvicerane për konvertim, e pastaj i’a kthen në para të gatshme shumën prej 147,000.00 euro, të cilat nuk i fut në sistem. Pastaj, kur zbulohet nga punëdhënësi, shumën gjegjëse të mjeteve të nesërmen përmes vartësve të tij ilegalisht e kthen në bankë.”, njoftoi prokuroria përmes komunikatës.

Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri A.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.”, bëri të ditur më tutje prokuroria./21Media