Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit M.F. për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”,

“Sipas aktakuzës për të pandehurin M.F., i cili deri më tani, ishte i paaftë për të përballur me gjykimin për shkak të gjendjes së tij shëndetësore/mendore, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në dy periudha të caktuara kohore, më saktë gjatë, periudhës kohore prej, 01.07.2013 deri me 23.11.2013 dhe gjatë periudhës kohore nga fillimi i vitit 2018 deri me datë 24.07.2019, me dashje dhe me dije, e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht ka marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit, duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuoj në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe duke vepruar së bashku me të pandehurit tjerë me vetëdije kanë transportuar dhe sjellë armë dhe municion të ndryshëm, nga Maqedonia e Veriut për në pjesë të ndryshme të Kosovës.”, bëri të ditur prokuroria.

Me veprimet e cekura më lart i pandehuri M.F. ka kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-ë, lidhur me veprën penale, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 372 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së).

“Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurin, për veprat penale që akuzohet, ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë sipas ligjit.​”. informoi më tutje prokuroria./21Media