Aktivistët padisin Policinë për moslejim të tubimit “Drejtësi për Kujtimin”

 

Aktivisti i shoqërisë civile Gazmend Qyqalla, ka bërë të ditur se të enjten e ka dorëzuar lajmërimin për mbajtjen e një tubimi paqësor për të hënën më 31 gusht 2020 para objektit të Prokurorisë së Shtetit në Prishtinë, për të kërkuar “Drejtësi për Kujtimin”, por ky aksion është ndaluar nga Policia e Kosovës.

Si kundërpërgjigje, aktivistët kanë reaguar duke e paditur policinë.

Sipas reagimit të aktivistëve, aksioni simbolik me konferencë për media është planifikuar të mbahet për ta dorëzuar peticionin më shumë se 1,300 nënshkrime nga qytetarët, të cilët po kërkojnë “nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të kërkojnë falje për neglizhimin e rastit të Kujtim Veselit, një 11 vjeçari nga Fushë Kosova që dyshohet se u vra pasi ishte sulmuar seksualisht. Ata kanë kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit që të zhvillojë hetim për zyrtarët përgjegjës për neglizhimin e rastit dhe nga Qeveria e Kosovës që ta kompensojë familjen e Kujtimit për dëmin e shkaktuar nga neglizhenca e shtetit”.

Sipas tyre, policia e ka ndaluar mbajtjen e tubimit me vendim ku thuhet se “nuk ekzistojnë kushtet në aspektin e sigurisë për lejimin e tubimit sepse tanimë ekzistojnë shkaqet e epidemisë COVID-19”.

Në anën tjetër, në lajmërimin e aktivistit Gazmend Qyqalla për Policinë është theksuar se pjesëmarrës do të jenë 10 deri 20 persona dhe se organizatorët do ta mbajnë një pankartë dhe dy të tjerë do të flasin para mediave.

Ndërkaq, sa i përket masave për mbrojtjen nga COVID-19, në lajmërim thuhet “Në këtë aktivitet do të sigurohen masat për mbrojtjen nga Covid 19, secili do të ketë maskë dhe do të mbahet distanca fizike 2 metra”.

Kurse, avokatja e aktivistit Gazmend Qyqalla, Rina Kika, ka dorëzuar sot në mëngjes një padi kundër Policisë së Kosovës për shkeljen e lirisë së tubimit dhe të drejtës në trajtim të barabartë.

Sipas Kikës vendimi i Policisë është i paligjshëm meqë është diskriminues, nuk përmban arsyetim për shkaqet dhe rrethanat që kanë qenë vendimtare gjatë vlerësimit të lajmërimit të tubimit dhe nuk thirret në asnjë bazë ligjore për ta mbështetur kufizimin e lirisë së tubimit.

“Vendimi është diskriminues sipas saj, pasi që një ditë para lajmërimit të tubimit Drejtësi për Kujtimin, në Sheshin Nënë Tereza ishte mbajtur tubimi për promovimin e librit «Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza…» ku kishin qenë të pranishëm më shumë se 40 persona. Madje në këtë tubim kishte qenë i pranishëm edhe Zëvendëkryeministri Besnik Tahiri”, thuhet në reagim.

Aktivistët e fushatës Drejtësi për Kujtimin dyshojnë se “arsyeja e këtij trajtimi diskriminues është dekurajimi dhe frenimi i kritikës së hapur dhe të ashpër ndaj neglizhencës së Policisë që rezultoi me dhunimin e përsëritur seksual dhe vrasjen e Kujtim Veselit”.

Një 11 vjeçar ishte gjetur i vdekur në Fushë-Kosovë më 11 korrik të vitit 2019, rast për të cilin edhe është protestuar për të kërkuar drejtësi.

Back to top button