Aliu: Buxheti i MMPHI-së nuk është i partizuar, kemi buxhetuar projekte madhore

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu në seancën dëgjimore lidhur me Projektligjin për buxhetin 2023, ka thënë se buxheti i kësaj ministrie nuk është ndarë më shumë për projektet në komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosje, por është koncentruar në projekte madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Aliu para raportimit para Komisionit për Mjedis ka thënë se për dikasterin që udhëheq për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro.
“Koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023… Autostrada Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, zgjerimi i rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, ndërtimi i rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa kanë qenë 1. 1 milionë euro. Riparimi rrugës rajonale Prizren-Prevall janë 6 milionë euro për vitin 2023, kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, ka thënë ai.
Lidhur me ngecjen e projekteve infrastrukturore, ai ka thënë se në këtë ka ndikuar edhe rritja e madhe e çmimeve, por edhe aspekti i shpronësimeve dhe vetë projektet.
Aliu madje ka thënë se për këto projekte kanë ndarë më së shumti buxhet me qëllim që në vitin e ardhshëm të përfundohen.
“Është një dukuri e përgjithshme e ngecjeve në realizim të punimeve gjë që faktori kryesor është rritja e çmimeve prej karburanteve e ndërtimeve e me radhë ka ndikuar që të ketë ngecje që është situatë e përgjithshme mbase në të gjithë. Ka edhe faktorë të tjerë, kemi të bëjmë me projekte që janë, ta zëmë 4 projekte të rëndësishme që janë në ministri e që janë shndërruar në prioritetin kryesor për të zgjidhur çështjet e tyre e që është projekti i autostradës së Gjilanit, projekti i rrugës së Mitrovicës, projekti i rrugës Prishtinë-Podujevë dhe projekti i rrugës Dollc-Gjakovë dhe te këto katër projekte kemi një natyrë të ngjashme të problemeve që kanë të bëjnë ose me shpronësime, projektet, fazat e zbatimit dhe jemi në zgjidhje të këtyre problemeve”, u shpreh Aliu.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa kërkoi të di se pse për projektin e rrugës Prishtinë-Podujevë në vitin 2023 janë ndarë më pak fonde se sa në vitin 2025, duke e lidhur kështu edhe me fushatën zgjedhore.
“Buxhetin e keni të ndarë më këtë magjistrale ndër vite. Në vitin 2023 janë gjashtë milionë, në 2024 pesë milionë dhe në vitin 2025 – 11.3 milionë. Nuk dua ministër të besoj që keni lënë shumën më të madhe në një vit zgjedhor prandaj ta kemi me të qartë se pse shuma më e madhe buxheti më i madh në këtë drejtim është i ndarë në vitin 2025 dhe jo anasjelltas të ketë në 2023, sepse do të shpresonim se punët duke u përfunduar, kanë kosto më të ulët”, ka thënë Mustafa.
Ministri Aliu ka thënë se kjo shumë e mjeteve për 2025 nuk ka të bëjë me fushatën zgjedhore, por me planet e këtij projekti.
“Pse 6 (milionë) e në vitin e fundit 2025 ishte më i lartë 11 (milionë), nuk ka të bëjë absolutisht me vitin është çështje me planet dinamike të projekteve që janë“, theksoi ai.
Ndërsa, rritjen e buxhetit për këtë ministri e pa të paarsyeshme deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo këtë mendim e arsyetoi me faktin se Ministria e Infrastrukturës nuk ka shpenzuar as buxhetin e vitit 2022.
“Po e shoh që është një rritje prej 6.19 % e buxhetit e që nuk është ndonjë rritje, por duke pasur parasysh që nuk keni arritur ta shpenzoni buxhetin aq sa keni pasur në vitin 2022 dhe ndoshta kishte qenë mirë më shumë të fokusoheni në këtë, sepse në fund të fundit, buxheti i vitit të ardhshëm gjithmonë bazohet në atë çka kanë qenë nevojat duke pasur parasysh se nuk keni arritur me përqindje të larta ta shfrytëzoni buxhetin 2022 që keni pasur në rrethana normale, është dashur të ketë më pak buxhet, sepse nuk iu ka nevojitur për atë edhe nuk e keni shpenzuar”, theksoi ajo.
Deputeti i PDK-së, Isak Shabani theksoi se shuma prej 6 milionë euro e ndarë për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë është e vogël, andaj ai kërkoi rritje të kësaj shume për çka tha se edhe ka dërguar amendament për këtë çështje.
“Keni premtuar se do t’i jepni prioritet prandaj janë ndarë vetëm 6 milionë dhe mendoj se nuk ka kurrfarë arsye me u nda vetëm 6 milionë e di që keni përmend shpenzimet, elaboratet, hetimet ato që janë në proces nëse nuk gaboj Kurti 1 dhe 2 janë marr me këtë projekt”, ka thënë ai.
Madje Shabani kërkoi të di se a kanë bërë favorizime në projekte te komunat që udhëhiqen nga Lëvizje Vetëvendosje.
Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se buxheti i kësaj ministrie nuk është partizuar pasi janë të koncentruar në të gjitha projektet dhe komunat ku kanë nevojë qytetarët.
“Nuk kemi partizim të buxhetit. Është shumë e qartë. Ju mundeni ta shihni edhe në projektet dhe memorandumet e nënshkruara që nuk kanë të bëjnë komunat hiq, ka të bëjë me qytetarët. Pra nuk lidhet hiq kush është kryetar në komunë, madje-madje shumicën nuk e di as cila është, por janë disa projekte që pavarësisht a mund apo nuk mund t’i bëjë komuna, nuk e lëmë keq”, u shpreh Aliu.
Më 13 dhjetor para këtij Komisioni përsëri do të raportojë ministri Aliu për punën dhe projektet në vitin 2022.
Pas ministrit Liburn Aliu lidhur me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 në Komisionin për Mjedis raportoi edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Back to top button