Alternativa: Iniciativa e “Nismës” të përkrahet nga partitë opozitare

Sipas tyre, vendit duhet t’i jepet një drejtim i ri politik

Alternativa përmes një komunikate për media, konsideron se iniciativa e fundit për votëbesim të Qeverisë aktuale duhet të përkrahet nga partitë opozitare, por edhe nga deputet të tjerë të Kuvendit të Kosovës dhe se bën me dije se kjo parti përmes deputetit Ilir Deda, do ta japë nënshkrimin e 40, nëse sigurohen 39 nënshkrimet tjera për përkrahje të mocionit për rrëzim të Qeverisë.

“Iniciativa e ndërmarrë së fundmi nga subjekti opozitar “Nisma” është një mundësi për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë politike, por në të njëjtën kohë, qytetarëve të vendit duhet t’i ofrohen garanci se vendit do t’i jepet një drejtim i ri politik.  Alternativa, përmes deputetit Ilir Deda, do ta japë nënshkrimin e 40, nëse sigurohen 39 nënshkrimet tjera për përkrahje të mocionit për rrëzim të Qeverisë dhe njëkohësisht do ta ndërmarrë një iniciativë të takimeve nga java e ardhshme për ofrimin e alternativës për ndryshim të qeverisjes në vend, përfshirë krijimin e një fronti të gjerë shoqëror dhe politik, ku interesat e caktuara partiake do të vendosen në plan të dytë”, thuhet në komunikatë.

Alternativa është për krijimin e një koalicioni të gjerë politik për ndryshime, i cili duhet të jetë në funksion të përmbylljes së suksesshme të shtet-ndërtimit, zhvillimit ekonomik, uljes së papunësisë, formimin e Ushtrisë së Kosovës, reformën në drejtësi me luftë të përnjëmend kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Të gjithë që janë për ndryshime duhet të pajtohemi për një kandidat të pavarur e jo partiak për kryeministër dhe një qeveri më të vogël, kompakte dhe funksionale”, thuhet në komunikatë./21Media

Back to top button