Policia e Kosovës ka pranuar sot një donacion nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, përkatësisht Byroja për çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe USDOJ-ICITAP-i.

Bëhet fjalë për një automjet dhe pajisje të përdorura nga fusha e teknologjisë informative si kompjuterë, printerë dhe skanerë.

Donacioni ka për synim të ndihmojë Policinë e Kosovës në përmirësimin e kushteve të punës, duke mundësuar kryerjen me efikasitet të punëve të përditshme.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj me këtë rast është shprehur falënderues për Ambasadën e SHBA-së për përkrahjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve të institucionit që ai drejton.