Thotë se do t’i analizojnë projektligjet

Thotë se do t’i analizojnë projektligjet

Ambasada Amerikane në Kosovë ka reaguar pas miratimit të Qeverisë së Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Duke mos dhënë një qëndrim strikt pro apo kundër, Ambasada e Amerikës ka paralajmëruar se do t’i analizojë tri projekt ligjet për ta kuptuar qëllimin.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë e kanë mbështetur të drejtën sovrane të Kosovës për ushtri dhe kanë punuar ngushtë me Kosovën rreth mënyrës për ta arritur këtë. Ne kemi këshilluar një qasje të matur që e mban Kosovën në përputhje me aleatët tanë në NATO për këtë hap të rëndësishëm. Nuk jemi këshilluar për çastin e këtij lajmërimi dhe do të na duhet t’i analizojmë projektligjet për ta kuptuar qëllimin dhe efektin e tyre.”, thuhet në njoftim.

Tutje kjo ambasadë si hap më të rëndësishëm të Kosovës në këtë kohë e ka konsideruar dialogun me Serbinë.

“Përpjekjet tona të disa javëve të shkuara janë përqendruar në ndërtimin e konsensusit të brendshëm për dialogun e rëndësishëm me Serbinë. Vazhdojmë të besojmë se normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është hapi më i rëndësishëm për përparim në të ardhmen e afërt.”, përfundon komunikata e Ambasadës Amerikane.

Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, janë tri projektligjet të cilat i miratoi sot Qeveria e Kosovës për FSK-në./21Media