Ambasada e SHBA-së: Zgjedhjet në përputhje me ligjin dhe me Kushtetutën

Zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës si dhe për asamble komunale në dy komuna në veri, janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kështu ka thënë Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

”Shtetet e Bashkuara theksojnë se zgjedhjet për kryetar në komunat veriore të Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan/Zveqan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, janë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. Gjithashtu shprehim mirënjohjen tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ndërkohë nga Ambasada është thënë se do të angazhohen me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm./21Media

Back to top button