Ambasada e SHBA-ve në Kosovë është shprehur e shqetësuar me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në vendin tonë.

Në shkrimin e ambasadës në Twitter theksohet se masat parandaluese janë efektive vetëm nëse ndiqen dhe zbatohen.

“Jemi thellësisht të shqetësuar nga rritja e madhe e rasteve COVID-19 në Kosovë. Duhen veprime të prera për të reduktuar transmetimin e mëtutjeshëm të virusit. Masat parandaluese janë efektive vetëm nëse ndiqen dhe zbatohen. Qeveria, punëdhënësit dhe individët të gjithë ndajnë përgjegjësinë në këtë luftë”.

Ambasada ka njoftuar se maksimizuar punën nga shtëpia, duke eliminuar takimet, përpos atyre esenciale.

“Si punëdhënëse e më shumë se 500 personave, ambasada e ka marrë këtë përgjegjësi me seriozitet. Duke maksimizuar punën nga shtëpia, duke eliminuar takimet, përpos atyre esenciale, duke kërkuar bartjen e maskës, ne po i mbrojmë punëtorët tanë dhe familjet e tyre”, thuhet në shkrimin e Ambasadës në Twitter.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 8 raste të vdekjes të cilët ishin të prekur me Covid-19, njofton Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Po ashtu IKSHPK bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe 334 raste me Covid-19 nga 1621 mostra të testuara. Kurse të shëruar janë raportuar 81 persona./21Media