Ambasada e Kosovës në Romë informon bashkatdhetarët tanë se në bazë të dekret-ligjit të ri të Qeverisë italiane, qarkullimi dhe lëvizja ndërkufitare drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën dhe anasjelltas, mbetet ende e kushtëzuar nga masat parandaluese ndaj Covid-19.

Në një postim në Facebook thuhet se sipas burimeve zyrtare italiane, vlefshmëria e këtyre masave kufizuese me vendet e rajonit do të mbetet në fuqi deri më 30 qershor 2020.

Si rrjedhojë, Ambasada e Kosovës në Romë u bënë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë në Itali dhe atyre që planifikojnë të kalojnë tranzit nëpër territorin italian, që të evitojnë planifikimin e udhëtimeve drejt Kosovës deri në njoftimin zyrtar të radhës.

“Ju rikujtojmë që ky rekomandim i drejtohet dhe duhet respektuar nga të gjitha kategoritë e transportit dhe për të gjitha mënyrat e udhëtimit, përfshirë këtu linjat private të autobusëve që duhet të evitojnë të ndërmarrin iniciativa të nxituara”, thuhet në njoftim.