Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, sot priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.

“Në këtë takim, në të cilin u diskutuan çështje të bashkëpunimit mes dy vendeve, u ritheksuan edhe një herë raportet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe u ritheksua përkushtimi për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve. Shteti i Zvicrës, si njëri ndër vendet e para të cilat e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, vazhdon të përkrahë jetën demokratike në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se ambasadori Lebet shprehu qëndrimin e vendit të tij për ta ndihmuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, shteti zviceran e përkrah normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe mbron fuqishëm paprekshëmërinë e kufijve.

Në komunikatë thuhet se ai shprehu mirëkuptimin e tij për qëndrimet e Osmanit për proceset politike në vend, si dhe përkushtimin e saj ndaj vlerave demokratike perëndimore.

“Ne i japim mbështetje të pakursyer Osmanit në përkushtimin e saj dhe konsistencën në promovimin e vlerave demokratike”, tha ambasadori Lebet.

Ai vlerësoi se gjuha denigruese ndaj një personaliteti me integritet të lartë dhe të pakorruptuar si Vjosa Osmani, vetëm për shkak të mospërputhjes në qëndrime politike, është e papranueshme.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit, Osmani, e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe ia shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Zvicra ia ka dhënë Kosovës.

Ajo e shtroi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me vendet mike për promovimin e mëtejmë të jetës parlamentare, procesin e dialogut dhe krijimit të paqes së qëndrueshme, si dhe shmangien e gjuhës së urrejtjes.

Osmani dhe ambasadori Lebet shprehën po kështu nevojën e një procesi transparent dhe të kujdesshëm për përzgjedhjen e avokatit të popullit, si institucion që kujdeset për afirmimin e të drejtave të njeriut dhe të një sistemi që siguron kontrollin e pushteteve dhe llogaridhënien./21Media