Ambasadori ukrainas: Kemi nevojë tani për tanke gjermane
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksii Makeiev, i ka kërkuar qeverisë gjermane të miratojë dërgesat e tankeve luftarake “Leopard 2” të prodhimit gjerman për Ukrainën.
“Ne kemi nevojë për tanke gjermane dhe na duhen tani”, tha Makeiev.
“Ne nuk kemi kohë për të shqyrtuar, menduar apo hezituar. Ajo që na duhen janë vendime, trajnime dhe dërgesa të koordinuara. Dhe pa vonesë”, shtoi ai.
Pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar, udhëheqësit gjermanë thanë dje në konferencën në bazën ajrore amerikane në “Ramstein”, në Gjermaninë perëndimore se ata nuk kanë marrë ende një vendim nëse do të miratojnë eksportin e tankeve shumë të avancuara në Ukrainë.
“Duhet të jem i sinqertë, ne prisnim shumë më tepër nga partnerët tanë gjermanë”, tha Makeiev.
Megjithatë, ambasadori mirëpriti lajmin se pajisje të tjera ushtarake me vlerë disa miliardë dollarë i ishin premtuar Ukrainës në konferencë.
Polonia dhe disa vende të tjera të NATO-s thanë se do të donin të dërgonin tanke “Leopard 2” në Ukrainë, por nevojitej miratimi i qeverisë gjermane përpara se çdo armë e blerë fillimisht nga vendi të transferohej diku tjetër.
Ukraina është përfshirë në një luftë të përgjakshme që kur Rusia filloi një pushtim të vendit në shkurt 2022.