Analistët thonë se nuk do të arrihet marrëveshje në Bruksel, fajtorë ‘ledhatimet’

Analistët në Kosovë nuk presin që nga takimet që po zhvillohen në Bruksel, me Serbinë, të arrihet një marrëveshje për reciprocitetin në targa dhe letërnjoftim.
Fidan Ukaj, analist politik, tha për rtv21.tv se nuk pret të ketë marrëveshje pasi Serbia nuk është e interesuar të ketë përfundim të këtij dialogu.
“Në fakt unë nuk kam pritur asgjë nga ky takim në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, dhe nuk pres të ketë marrëveshje, për arsye se tashme është kuptuar se Serbia nuk është e interesuar të ketë përfundim të këtij dialogu, të nisur tashmë më shumë se një dekadë. Dialogu do të vazhdojë në pafundësi, Serbia duke u paraqitur e “gatshme” për dialog e në anën tjetër duke krijuar telashe e probleme në terren, duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura dhe duke krijuar probleme të reja për të mos arritur asnjëherë deri te marrëveshja finale”, tha ai.
Për këtë, Ukaj fajëson bashkësinë ndërkombëtare dhe ‘ledhatimet’ e tyre.
“Derisa bashkësia ndërkombëtare e ledhaton dhe e toleron Serbinë të luaj me dy karta, mirë me Rusinë e mirë me BE-në, e në kushtetutë Kosovën e ka si pjesë të sajë, një shtet që ka hapur kapituj për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian, e në anën tjetër blen armë nga Rusia e Kina, po ashtu e kërcënon fqinjët e saj, në veçanti Kosovën, nuk do të ketë asnjëherë përfundim të këtij dialogu”, tha ai, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e qartë në raport me Serbinë.
“Duhet t’i tregohet Vuçiqit se nëse s’ka marrëveshje në dialog ligjshmëria dhe sundimi i ligjit do të ndodh, targat e Serbisë do të hiqen e reciprociteti për dokumente do të vendoset. Serbia si shkaktare e luftërave të fundit në Ballkan e Evropën perëndimore, ka treguar nga e kaluara se vetëm kur shohin se pala tjetër është e vendosur t’i shkojë deri në fund një çështjeje, ata dorëzohen, përndryshe saga e dialogut me Serbinë nga dekada do të kaloj në shekuj”, përfundoi analisti Ukaj.
Skeptik për një marrëveshje mes Kosovës dhe shtetit fqinj u shpreh edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Sipas tij, takimi sot në Bruksel është tregues që palët janë larg arritjes së ndonjë marrëveshje sa i përket edhe fazës finale, por tani edhe çështjes teknike siç është situata e reciprocitetit.
Shala tha për rtv21.tv se Serbia po tenton me çdo kusht të përfitojë kohë që mos të zbatohet vendimi, por gjithashtu të ndryshojnë rrethanat gjeostrategjike ndërkombëtare që kjo pastaj të marrë veprimin në terren.
“Në lidhje me masën e reciprocitetit që si rezultat kemi hasur një tension të krijuar nga grupeve kriminale në veri të vendit nga Serbia dhe aparatura e saj shtetërore. Kjo ka shtyrë që qeveria të pezullon për një muaj vendimin por që nga 1 shtatori të vazhdoj që të implementohet. Kundër këtij vendi është pozicionuar qeveria e Beogradit e cila po tenton në çdo kusht të përfitojë kohe që mos të zbatohet vendimi por gjithashtu të ndryshojnë rrethanat gjeostrategjike ndërkombëtare që kjo pastaj të marrë veprimin në terren”, tha ai.
Shala pret që Qeveria e Kosovës të vazhdojë të implementojë vendimin.
“Në anën tjetër mund të ketë ndoshta tensione vetëm nga grupet kriminale, por pa mbështetjen zyrtare siç ka ndodhur në të kaluarën nga Beogradit. Por çdo gjë do të varet nga takimi që pritet të këtë presidenti i Serbisë më përfaqësuesit serb ditën e diele në Beograd”, përfundoi ai.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, tha se takimi i sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut në Bruksel, nuk ishte takim i rregullt.
Borrell theksoi se ka dallime të mirënjohura mes Kurtit dhe Vuçiq, në këndvështrimin për statusin përfundimtar, por janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta për të shkuar më shpejt drejt normalizimit. Diskutimet, sipas tij, do të rrifillojnë në ditët në vijim./21Media

Back to top button