Gati 100,000 njerëz infektohen me Covid-19 çdo ditë në Angli.

Studimi nga “Imperial College London”, thotë se ritmi i epidemisë po përshpejtohet dhe vlerëson se numri i njerëzve të infektuar tani dyfishohet çdo nëntë ditë.

Autorët thonë se jemi në një “fazë kritike” dhe “diçka duhet të ndryshojë”.

Franca dhe Gjermania kanë kthyer izolimet për të kontrolluar virusin, transmeton rtv21.tv.

Ndërsa, Qeveria në Angli po i përmbahet strategjisë së saj rajonale.

Ekspertët po paralajmërojnë se po i afrohemi me shpejtësi kulmit të infeksioneve.

Studimi është me shumë ndikim sepse është vlerësimi më i azhurnuar i Covid-19 në vend, me gati 86,000 vullnetarë që marrin pjesë.

Ky studim po tregon se rastet po rriten në çdo grup moshë dhe në çdo rajon të Anglisë. Ndërsa rastet janë aktualisht më të larta në Veri, infeksionet po rriten më shpejtësi edhe në Jug.

Studimi krahasoi rastet më të fundit të mbledhura midis 16 dhe 25 tetor me raundin e fundit të rasteve, midis 18 shtatorit dhe 5 tetorit.

-Numri i njerëzve të infektuar është dyfishuar që nga raundi i fundit, me një në çdo 78 persona që tani rezulton pozitiv.
-Zona më e goditur është Yorkshire dhe Humber, ku një në çdo 37 njerëz ka virusin, e ndjekur nga rajoni Veri-Perëndimor.
-Tri herë më shumë njerëz të moshës 55-64 vjeç janë të infektuar dhe dy herë më shumë 65 vjeç.
-Ritmi i epidemisë është përshpejtuar me numrin R – numri i njerëzve që çdo person i infektuar kalon virusin mesatarisht – duke u rritur nga 1.15 në 1.56.
-Në përgjithësi, numri i njerëzve të infektuar dyfishohet çdo nëntë ditë.
-Jug-Lindja, Jug-Perëndimi, lindja e Anglisë dhe Londrës të gjithë kanë një R mbi 2.0. Londra ka vlerësuar R prej 2.86.
-Rastet po kulmojnë te të rinjtë në Jug-Perëndim në një përsëritje të modelit të parë në Anglinë veriore pak më shumë se një muaj më parë.
-96,000 njerëz tani po infektohen me virus çdo ditë.

Prof Steven Riley, një nga autorët, tha se ishte “me të vërtetë i zhgënjyer” kur të dhënat filluan të vijnë dhe tha se kjo do të thoshte që “masat aktuale nuk janë të mjaftueshme”.

“Duhet të ketë një ndryshim, shkalla e rritjes është me të vërtetë mjaft e shpejtë, në një mënyrë ose në një tjetër duhet të ketë një ndryshim para Krishtlindjeve”, tha ai.

Ai argumentoi se kjo mund të jetë ose publiku i gjerë duke ndjekur rregullat më nga afër ose qeveria duke vendosur kufizime më të ashpra./21Media