Animacioni kosovar “Clara me mustaqe” edhe në Annecy

 
Pas Santa Barbara International Film Festival dhe Cleveland International Film Festival, “Clara me mustaqe”/“Clara with a mustache” me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori, është ftuar të jetë pjesë e njërit ndër festivaleve më të rëndësishme të animacionit në botë, njëherit edhe festival i kategorisë A, – Annecy International Animation Film Festival që do të mbahet nga 14 deri më 19 qershor 2021.
“Filmi u kushtohet 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna, sepse në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë. E mesazhi është që ëndërrat dhe shpresat për një të ardhme më të mirë asnjëherë mos të ju shuhen”, janë shprehur autorët e filmit me rastin e sukseve të vazhdueshme të animacionit.
Animacioni përcjellë personazhin e saj kryesor – një njëqind deutchmark, dhe portretin e saj të bukur të Clara Schumann me një palë mustaqe të vizatuara përmbi buzë. Kjo kartëmonedhë udhëton nga një person në tjetrin, duke zbuluar historitë e tyre dhe perspektivat. Duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Ajo mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojave të saj, por ndërtohet dhe shpaloset me një imagjinatë të një fëmiu.
Produksioni është realizuar nga “Molos”, me mbikqyrëse të animacionit Vala Blakçori; animimi nga Ferit Youcel, ndriçimi dhe kompozitimi nga Aleksndar Petkov; riging-u nga Ogulcan Tayman; redaktimi i skenarit nga Dafina Syla. Muzika është vepër e kompozitorit francez Romain Zante e cila u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra” në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është komponim i vet kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellur në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës./21Media

Back to top button