Dashamirët e javës së modës në Berlin kanë shansin që prezantimin e koleksioneve të reja për dimër 2021-22 ta shohin nga shtëpitë e tyre, pasi që pandemia ka ndikuar dukshëm edhe në këtë fushë, dhe koleksionet prezantohen online.

Gjatë kësaj ngjarjeje, ishte edhe disenjatorja gjermane Anja Gockel, e cila prezantoi koleksionin e ri, të cilin e pagëzoi “Embraceland”.

Koleksioni i saj u prezantua në hollin e hotelit luksoz Adlon, në Berlin, përcjell rtv21.tv

E veçantë në këtë prezantim, veç veshjeve të cilat Gockel i krijon çdo herë komode, ishin paraqitjet e modeleve bashkë me valltarë profesionistë, të cilët kjo disenjatore i zgjodhi për prezantim të tyre. Në këtë prezantim u kombinuan: moda, arti, vallëzimi dhe shfaqje teatrale.

Veshjet janë të materialeve të cilësisë së lartë, ndërkaq edhe disajnet janë të veçanta. Qëllimi i disenjatores Gockel me këtë koleksion është që ti bëjë dashamirët e disajneve të saja të ndihen rehat me to. Shihet se në këtë koleksion nuk ka fustane për mbrëmje.

Pra, disajnet janë për ditë, por mund të vishen kudo, edhe për ndonjë rast të veçantë, sepse ato bëjnë që gruaja e cila i vesh ato të duket si zonjë e vërtetë.

Performanca e artistëve në revy u bë me qëllim që dashamirët e modës, të cilët i preferojnë disajnet e Gokel, të kenë ndjenjën e solidaritetit, të ndihen se janë bashkë me ta në vendngjarje, edhe pse atë e ndoqën nga largësia.

Disenjatorja gjermane Anja Gockel veç prezantimit të koleksinit të ri në javën e modës në Berlin, po ashtu shënoi 25 vjetorin e markës së saj të veshjeve, e cila markë vitin e kaluar u vlerësua si njëra prej 30 kompanive të qëndrueshme të modës në Gjermani./21Media