Ditë zie në Teatrot e Kosovës

Ditë zie në Teatrot e Kosovës

Anulohet shfaqja “Im atë donte Adolfin” të autorit Mehmet Kraja, i cili është babai i së ndjerës, Arzana Kraja. Shfaqja ishte e paraparë të shfaqej sot.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.

Në emër të të gjithë artistëve të Teatrit të Gjilanit, me rastin e vdekjes së regjisores Arzana Kraja, i shprehim ngushëllimet tona më të thella gjithë familjes Kraja dhe gjithë komunitetit artistik në këtë kohë të vështirë. Zemrat tona janë me familjen dhe të gjithë të tjerët”, ka shkruar Zymberi në llogarinë e tij në Facebook.

Shfaqja është anuluar në shenjë respekti për vdekjen e regjisores Arzana Kraja, shkruan rtv21.tv.

Edhe Teatri Kombëtar i Kosovës ka anuluar shfaqjen e planifikuar për ditën e sotme “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” nga Veton Surroi në regji të Andras Urban. Këtë e ka bërë të ditur stafi i Teatrit Kombëtar të Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.

“Të pikëlluar thellë nga humbja e hershme e artistes Arzana Kraja, Teatri Kombëtar i Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, kolegëve dhe artdashësve.
Në shenjë respekti ndaj familjes Kraja dhe komununitetit artistik TKK anulon shfaqjen e planifikuar për natën e sotme“, kanë shkruar ata.

Regjisorja e njohur, Arzana Kraja është gjetur e vdekur sot në banesën e saj në lagjen Kalabria në Prishtinë. Në fillimet e karrierës së saj si regjisore Arzana Kraja ka punuar edhe në Radio Televizionin 21./21Media