Xhirimet e filmit “The Batman”, të cilat ishin duke u bërë në Britani të Madhe, u anuluan si pasojë e  pandemisë.  Kjo ndodhi për shkak se njëri anëtar i ekipit realizues doli pozitiv në testin për COVID-19.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur kompania filmike Warner Bros, e cila merret me xhirimet e filmit në Britani të Madhe.

Kjo kompani në një deklaratë për media ka njoftuar se: një anëtar i ekipit është testuar pozitiv për COVID-19, dhe është izoluar sipas protokolit. Por ajo nuk ka bërë të ditur se kush është infektuar me virus.

Megjithatë, revista Deadline – Hollywood ka konfirmuar se cili anëtar është infektuar. Sipas saj, fjala është për Robert Pattinson.

Lajmi për ndërprerjen e xhirimeve të filmit The Batman vjen disa ditë pasi që kjo aventurë e bazuar në stripin me këtë titull u kthye në prodhim pas disa muaj ndërprerjeje për shkak të pandemisë.

Filmi The Batman, në të cilin aktori Robert Pettinson paraqitet me rolin e Caped Crusader, kishte shtatë javë që kishte filluar xhirimet, kur ato u ndërprenë për shkak të pandemisë. Për këtë film kanë mbetur edhe afro tre muaj xhirime, dhe shpresohet se do të përfundojnë kah fundi i këtij viti.

Të dhëna të tjera nga Warner Bros nuk janë siguruar as për aktorin e as se kur do të rifillojnë me xhirimet. /21Media