Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarit N.M.

“Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të akuzuarit N.M. por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, të datës 04.12.2020. Rasti i është kthyer të njëjtës gjykatë në rivendosje”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

N.M. ishte dënuar më burgim të përjetshëm nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për veprën penale “Vrasje e rëndë” . Kjo pasi që gjykata, e gjeti fajtor për vrasjen e bashkëshortes se tij, shtetases S.M.

“Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase nuk është përpiluar në pajtim më dispozitat ligjore. Në fakt nuk janë dhënë arsyet në të cilat është bazuar, më rastin e zgjedhjes se çështjes juridike, veçanërisht më rastin e vërtetimit të përgjegjësisë penale të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal, ndaj të akuzuarit dhe veprës se tij”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit./21Media