Ndonëse në agjendën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ishte paraparë takim me liderin e AAK-së Ramush Haradinaj në orën 11:00, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Askush nga AAK-ja nuk pranuar të flasë rreth anulimit të këtij takimi, por vetë Ramush Haradinaj në një emision dje kishte deklaruar se nuk do të takohet me Ramën.

Kujtojmë se Rama e ka paditur për shpifje Haradinajn, pasi ky i fundit deklaroi se kryeministri shqiptar është i përfshirë në idenë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuara në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Edi Ramën, që së bashku me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve.

Në padi ndër tjera thuhet, se deklaratat e Haradinajt janë bërë në kuadër të debateve rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar, se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, citohet të ketë thënë Rama në tekstin e padisë.

Sipas Ramës, “Haradinaj është autori e përhapësi në publik i akuzave për fakte konkrete, të cilat në mënyrë të përsëritur e në mënyrë direkte e indirekte, kanë krijuar në publik idenë e rreme, sipas së cilës “kryeministri i Shqipërisë në personin e paditësit është në shërbim të një ideje në dëm të interesit të kombit shqiptar në përgjithësi dhe të interesit të Kosovës në veçanti”./KP