Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Washington në takimin me Serbinë, të planifikuar më 27 qershor, pas ngritjes së akuzës nga Specialja. Lajmin e ka konfirmuar zyra e presidentit përmes një njoftimi për media.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me anulimin e vizitës zyrtare në SHBA, Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës tashmë e ka informuar edhe Shtëpinë e Bardhë.”, thuhet në njoftim.

Këtë e ka konfirmuar edhe i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Në një shkrim në Twitter, Grenell u shpreh se e mirëkupton vendimin e Thaçit dhe ka bërë të ditur se megjithatë takimi do të mbahet, me pjesëmarrjen e kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq./21Media