Apeli ul dënimet për Gucatin e Haradinajn për tre muaj

Gjykata e Apelit në Hagë ua ka ulur dënimin ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, nga katër vjet e gjashtë muaj në katër vjet e tre muaj.
Gucati e Haradinaj do të vuajnë tre muaj më pak burgim.
Më 18 maj, Gjykata themelore në Hagë Gucatin e Haradinajn i kishte dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale. Gucati e Haradinaj u dënuan për publikimin e dokumenteve të Speciales. Dokumentet ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.
Në dënim do t’u përllogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.
Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.
Trupi gjykues i dënoi të dy edhe me nga 100 euro gjobë.
Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Back to top button