Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, të cilët ishin dënuar nga shkalla e parë, për veprën penale mashtrim.

Gjykata e Prishtinës i kishte dënuar Kadri Rexhepi dhe Rrahim Hashimi në akuzat për mashtrim lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Rrahim Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj, ndërsa i akuzuari Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim.

Apeli, përmes një komunikate, ka njoftuar se i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës dhe se e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës në Prishtinë.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i atakuar më ankesë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë dhe se drejt po ashtu janë aplikuar dispozitat e të drejtës materiale”, thuhet në komunikatë.

Kurse sa i përket vendimit mbi dënim, Gjykata e Apelit gjithashtu ka vlerësuar se pretendimet ankimore, nuk qëndrojnë për faktin se gjykata e shkallës së parë drejtë i ka konstatuar dhe vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimeve, ashtu siç parashihet me ligj.