Apeli vërteton dënimin me burgim të përjetshëm për vëllezërit Vllasaliu

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Jeton Vllasaliut dhe Nexhat Vllasaliut për vrasjen e rëndë të biznesmenit Bedri Rexhepi, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.
Apeli ka lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 28 majit 2025, me të cilin dy të akuzuarit ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”, të kryera në bashkëkryerje.
Sipas vendimit, kolegji gjykues ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë shkelje esenciale të procedurës penale dhe se ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike, duke u mbështetur në prova personale dhe materiale.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se dënimi me burgim të përjetshëm është i drejtë dhe i domosdoshëm, duke theksuar se me këtë masë arrihet qëllimi i ndëshkimit, përfshirë parandalimin e veprave penale dhe forcimin e respektimit të ligjit.