Berisha thotë se është shumë i penduar që e ka vrarë Rizën

Berisha thotë se është shumë i penduar që e ka vrarë Rizën

Në Gjykatën e Prishtinës sot është dëgjuar rrëfimi në detaje lidhur me një nga vrasjet më të përfolura në Prishtinë. Arben Berisha, i dënuar me 35 vjet burgim për vrasjen e policit Triumf Riza ka treguar sërish arsyet dhe mënyrën e vrasjes që ndodhi në vitin 2007. Ai është thirrur të dëshmojë sërish në rigjykimin e Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për nxitjen e vrasjes së Rizës.

Arben Berisha deklaroi se Enver Sekiraqen e kishte njohur vetëm si figurë dhe me të ishte takuar në lokalin “Sekiraqa” dhe herën tjetër në shtëpinë e tij sepse sipas tij, djalin e axhës së Enverit e kishte shok. Berisha insistoi se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën. Ai po ashtu përsëriti që është shumë i penduar se e ka vrarë Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë vetën nuk e ndi fajtor se unë Triumfin e kom vra për arsye të mia dhe e kam cekë edhe në deklaratat dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, tha Berisha.

Tutje, ai tregoi se të ndjerin Riza për herë të parë e kishte njohur gjashtë muaj para se të ndodhte vrasja.

“Për herë të parë e kam njoftë para gjashtë muajsh para se me ndodh vrasja, kam qenë duke dalë prej një shitore ‘Maxi’ në Dardani, kur jam dal prej shitores m’ka nal mi ka lyp dokumentet, dhe pasi i njëjti ishte me rroba civile, i kom thanë kush je ti qe me t’i dhanë, i njëjti m’ka thanë ami dokumentet se un të lidhi dhe të qoj në  polici ta boj ma butë shpinën se barkun”, tregoi ai.

Më pas ai tregoi për takimin tjetër që e kishte me policin.

“Jam taku edhe një herë tre muaj para se me ndodhë vrasja. Kam qenë duke ecur në këmbë në rrugën “Fehmi Agani” dhe aty rastësisht jemi taku, ai ka qenë duke vozitur një xhip të  bardhë, e nali veturën dhe dul më ndali mu. Unë e pyta pse m’nale aj mu mtha çka tkom  thanë ty dhe më ka ra dy herë shuplak dhe më ka thënë ik prej ktuhit”, deklaroi Berisha.

Kurse, për ditën kritike të vrasjes së policit Triumf Rizës, ai tregoi se atë ditë kishte shkuar te lokali Sekiraqa ku ishte takuar me Rrahim Abdullahun dhe Ilir Abdullahun dhe sipas tij kishin pirë kafe dhe me pas kishte vazhduar vetëm në një lokal tjëtër.

“Ora ka qenë 12 e 40 kur jam dalë prej lokalit, dhe prej lokalit kam dalë me Rrahimin dhe Ilirin. Jena hypë kerr të Ilirit tretë dhe jena shku deri te lokali “Queen”, dhe unë kam zbrit semafora dhe aty dy kanë vazhdu rrugën e tyre”, tha ai.

Ai tha se atë ditë e kishte pasur armën me vete me qëllim t’ia shes dikujt.

Më pas ai tregoi se si kishte ndodhur takimi mes tij dhe Rizës në momentin kur kishte ndodhur vrasja.

“Kam dal prej këtij lokali dhe jom nis me shku lokalin “Inter Mex” dhe aryse ka qene me shku me kqyr me bo naj pazar naj kerr apo najsen. Kur kam dal prej ktij lokalit jom nis me ec nëpër parking dhe mrapa mka fishkëllu i ndjeri Riza. Rastësisht jemi taku dhe mka kap për kmishe, dhe mka thënë “ku je bre nanen e hajnit, magjupit, mka thanë mu ke bo thi” une ja ktheva pse more burr çka është ky malltretim sa herë më sheh në  rrugë, masnej ai më pshtyti dhe më tha hup se të vrajë si qenin”, tha Arben Berisha.

“Riza u kthy me ecë ka një gjip i zi dhe prap u kthy mem than hup se ….dhe aj e ka qu doren e majtë dhe un mendova qe po don mem gjujt me revole. Nga frika e kom nxerr revolen dhe 11 plumba jan dalë prej revoles, kurse 3 plumba e kanë kap në trup. Unë s’kam pas qëllim me vra veq me tut, por dora ska terezi, e kom ndi veten të rrezikum dhe e kom bo për vetë mbrojtje” vazhdoi rrëfimin ai.

Berisha insistoi se Sekiraqa është i pafajshëm.

“Mu smë ka nxit Enver Sekiraqa me vra Triumfin hiq, Enveri është i pafajshëm.  Unë e kom kry vrasjen për punë të mia, e kom cek arsyen qysh ka ndodhë rasti edhe jam pendu, as sem ka nxit Enveri as naj kush i familjes, krejt janë të pafajshëm”, tha Berisha.

Ndërkaq, kur u pyet se a i mbani 35 vjet burg për Enver Sekiraqen, Berisha tha se nuk i mban për Enverin por për vrasjen qe e ka kry, se sipas nuk ka të bëjë asgjë kjo me Sekiraqen.

Babai i të ndjerit, Shefqet Riza tha se nuk ka pyetje për këtë “kriminel”, ndërsa Arben Berisha ia ktheu duke i thënë “kriminel je vet, i ka bo 500 zeza, ky far zagari”. Më pas kryetari i trupit gjykues  Shashivar Hoti u tërhoqi vërejtjen palëve.

Gjykimi do të vazhdojë në ora 13 e 15, ku do të dëgjohet edhe dëshmitari Rrahim Abdullahu. Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës. Për këtë akuzë Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim. Ndërsa për vrasjen e policit Riza në verën e vitit 2007, Gjykata e kishte gjetur fajtor Arben Berishën dhe e kishte dënuar me 35 vjet burgim./kallxo.com