Arbnora Fejza-Idrizi nga Skënderaj, është artistja e cila dy herë radhazi ka hyrë në Librin e rekordeve (Guinness).

Në një intervistë për programin “Për ditë të mbarë” në RTV21, artistja ka njoftuar se është duke i bërë të gjitha përgatitjet për hapjen e qendrës së parë për origami në Kosovë.

Ajo u shpreh se ka shumë të interesuar që ta mësojnë artin origami, gjë që e ka shtyer të hap një qendër. Fejza-Idrizi bëri të ditur se së shpejti do ta hapë qendrën e parë në Mitrovicë pastaj do të vijë edhe me një qendër tjetër për origami në kryeqytet.

Arbnora Fejza-Idrizi ka hyrë në Librin “Guinness”, me lulen më të madhe në botë të punuar nga letra origami. Lulja origami që e vendosi emrin e Arbnorës në librin e famshëm botëror ka një madhësi prej 8.7 metrash.

Arbnora theu rekord për herë të dytë në Librin “Guinness”, me krijimin e një vazoje prej letre në lartësi 2.73 metra dhe gjerësi 2.38, me të cilën ka paraqitur popullin shqiptar dhe dëshmorët./21Media