Ardian Cuculi kalon te Shkëndija
KF Shkëndija ka arritur marrëveshje për rikthimin e Ardian Cuculit, duke nënshkruar kontratë me kohëzgjatje prej një vjet.
Cuculi në skuadrën kuqezi rikthehet pas katër vitesh. Brenda kësaj periudhe ishte pjesë e ekipit të Kukësit, ndërsa së fundmi luajti për ekipin e Dritës nga Gjilani.
Në të kaluarën me fanellën e Shkëndijës, Cuculi ka fituar 5 tituj, edhe atë 2 herë titullin e kampionit të Maqedonisë së Veriut, 2 trofe të Kupës dhe 1 trofe të Super Kupës.
“Kur bëhet fjalë për Shkëndijën, normalisht se çdo rikthim është emocional. Unë jam shpirtërisht i lidhur me Shkëndijën nga shkaku se me fanellën e Shkëndijës i kam kaluar vitet më të lavdishme të karrierës sime si futbollist. Unë këtu kthehem në shtëpinë time, këtu kam edhe disa bashkëlojtarë me të cilët kemi luajtur së bashku në Shkëndijë në të kaluarën. Me Shkëndijën për herë të parë jemi shpallur kampionë në vitin 2011 dhe besoj se këtë vit së bashku do të arrijmë synimet dhe do të rikthejmë titullin e kampionit”, ka deklaruar Cuculi gjatë nënshkrimit të kontratës./21Media