Arkivi i Presidentit Rugova do të vendoset në dispozicion të Bibliotekës Presidenciale

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku sot nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit mes Bibliotekës Presidenciale ”Dr. Ibrahim Rugova” dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Presidentja Osmani me këtë rast shprehu falënderimin për ministrin Çeku për gatishmërinë e tij të menjëhershme që ta mbështesë bashkërisht edhe me Bibliotekën Kombëtare, por edhe institucionet tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës. Ky projekt, sipas Presidentes Osmani është i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të bibliotekave presidenciale dhe do ta mbajë emrin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

”Lajmi i rëndësishëm është që po ashtu familja e Presidentit Rugova ka vendosur që të gjithë arkivin e Presidentit t’ia vë në dispozicion Bibliotekës Presidenciale”, u bë e ditur në komunikatë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani i ftoi të gjitha institucionet bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë material siç janë librat, artikujt, revistat, fotografitë apo eksponatet e Presidentit Rugova.

”Në këtë mënyrë do të ruhen në kujtesën tonë historike përpjekjet e një populli të tërë për liri dhe pavarësi, e mbi të gjitha për shtetndërtim. Për të treguar se në këtë proces të shtetndërtimit edhe kujtesa institucionale, edhe memoria institucionale janë tejet të rëndësishme”, tha Osmani.

Ndërsa, Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport Hajrulla Çeku deklaroi se duke e kriju këtë institucion dhe duke e pagëzu me emrin e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, përveç që e nderojmë figurën e tij, e nderojmë edhe kombin, edhe Republikën e Kosovës.

”Ne si Ministri e Kulturës bashkë me institucionet që janë në varësi të Ministrisë, me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Muzeun Kombëtar të Kosovës, Arkivave Shtetërore dhe të gjitha pjesët përbërëse do të jemi në dispozicion, do ta marrim me shumë seriozitet këtë detyrë kaq të rëndësishme dhe fisnike në të njëjtën kohë. Prandaj, përveçse kënaqësi ne ndjejmë edhe obligim në të njëjtën kohë që t’i përgjigjemi kësaj nisme, të bëhemi pjesë e Bibliotekës Presidenciale ”Dr. Ibrahim Rugova”, u bë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button