Armët, mesazhet provokuese dhe kërcënuese, Elshani: Situata në veri stabile por delikate

Me gjithë armët e gjetura gjatë bastisjeve në dy lokacione më veri, mesazhet provokuese dhe së fundmi grafitet kërcënuese ndaj kryeministrit në detyrë Kurti, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani tha për për RTV21 se situata në veri të vendit është stabile por delikate. “Situata e qetë, stabile por delikate”.
“Në jemi duke punuar kemi informacione të mjaftueshme nëse ndodh diçka ndodh dicka reagojmë por s’ka dicka të jashtëzakonshme..”, tha Elshani për RTV21.
Në një grafitë në gjuhën serbe në një rrugë në Mitorvicë të Veriut në shqip i bie: “Me agimin që po lind në Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
Për këtë rast sipas Elshanit ende nuk ka të arrestuar.
“Ska të arrestuar…mund ta konfirmojmë rastin …një grafit që e ka ekrvenim është cilësuar si kanosje për kryeministrin Kurti… edhe në rrjetin Telegram është vendosur një grafitë me përmbajtjen e njëjtë”, tha Elshani për RTV21.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë të martën dy operacione të ndara në pjesën veriore të vendit, ku janë zbuluar armë të fshehura dhe materiale me simbole nacionaliste serbe.
Operacioni i parë është zhvilluar në fshatin Junake të komunës së Zveçanit, ku rreth orës 15:00 Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë Kufitare ka kontrolluar një zonë pyjore, pas informacioneve të pranuara për aktivitete të dyshimta.
Gjatë bastisjes në terren, policia ka zbuluar tri armë të gjata – përkatësisht një pushkë gjysmë automatike dhe dy pushkë gjuetie – të cilat ishin fshehur brenda një gypi metalik dhe të mbuluara me kujdes në pyll. Përveç armëve, janë sekuestruar edhe sasi të caktuara të municionit. Në vendin e ngjarjes janë përfshirë edhe njësitet për trajtimin e mjeteve të rrezikshme shpërthyese dhe hetuesit rajonalë.
Ndërkohë, një tjetër aksion u zhvillua në një lokal në Leposaviq, ku Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën dhe Njësinë e Hetimeve Rajonale kreu një bastisje të planifikuar. Gjatë kontrollit, janë gjetur bluza, pajisje elektroshoku dhe artikuj të tjerë që përmbanin simbole dhe mbishkrime të dyshuara si nacionaliste. /RTV21
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?