Arnold Schwarzenegger promovon serialin e ri “FUBAR”

Arnold Schwarzenegger dhe Monica Barbaro ranë dakord se dinamikat e familjes në serialin e tyre të ri, “FUBAR”, janë të ngjashme me ato të jetës reale, teksa e shënuan premierën e projektit të zhanrit komedi dhe aksion në Los Anxhelos.

Seriali e rrëfen historinë e Luke Brunnerit dhe vajzës së tij Emma, të cilët e kanë gënjyer njëri-tjetrin për vite me radhë dhe asnjëri prej tyre nuk e dinte se punojnë si agjentë të fshehtë të CIA-s. Pasi të dy mësojnë të vërtetën, kjo bënë që ta vënë në pikëpyetje raportin mes tyre dhe e kuptojnë se në fakt nuk dinë asgjë për njëri-tjetrin.

Në premierë, Schwarzenegger tha se raporti i tij me Barbaron prapa kamerave, ishte goxha i ngjashëm me rolet e tyre në serial.

“Ishte kënaqësi të luaja në një serial televiziv që është i ngjashëm me filmin që e kam realizuar vite më parë, ‘True Lies’, ku unë e personifikoja një agjent sekret që është shumë i zoti në punën e tij. Por, ndryshe nga ai film, personazhi im në këtë projekt kur kthehet në shtëpi, përballet me disa probleme tjera. Seriali ka vërtetë humor të këndshëm dhe natyrisht puna me Monican ishte sikur të shoqërohesha në sheshin e xhirimeve me vajzën time të vërtetë. Ne kemi të njëjtat zënka, argumente e sfida, që i ka një babë dhe vajzë në jetën reale. Prandaj, po, ishte një përvojë argëtuese për mua”, tha ai.

“Gjithnjë më ka pëlqyer fakti se ky serial e rrëfente një histori klasike të dinamikave mes babait dhe të bijës. Mendoj se kjo i ndodhë shumë njerëzve. Por gjithashtu e shfaq këtë anën ku shumë prej nesh provojmë të mos bëhemi sikur prindërit tanë kur të rritemi, mirëpo me kalimin e moshës e kuptojnë se në fakt u ngjajmë shumë atyre. Mendoj se është shumë qesharake kjo gjë, sepse personazhi im në serial mendon se jeta e saj është komplet ndryshe. Dhe në fund e kupton se kur e shikon babanë e saj, është njësoj sikur ta shikojë veten në pasqyrë. Gjithashtu është qesharake t’i shikosh zënkat mes tyre, të cilat vazhdojnë edhe gjatë kohës sa ata janë duke punuar në terren dhe janë të përfshirë në disa prej situatave më të rrezikshme të mundshme”, deklaroi aktorja.

Krahas Schwarzeneggerit dhe Barbaros në serial luajnë edhe aktorët: Jay Baruchel, Andy Buckley, Fortune Feimster, Gabriel Luna, Travis Van Winkle dhe Tom Arnold.

“FUBAR” fillon transmetimin në platformën Netflix më 25 maj.

Back to top button